Konsumoni më shumë ujë gjatë verës

Organizmi i njeriut mund të funksionojë në mënyrë optimale në një temperaturë të caktuar. Në rastet e rritjes së temperaturës së trupit, organizmi ka nevojë për t'u freskuar. Për të freskuar organizmin brenda tij ndodhin një sërë procesesh të lidhura midis tyre.

 Enët e gjakut zgjerohen, duke rritur masën e sasinë e gjakut që kalon në lëkurë dhe duke i mundësuar trupit tuaj të ulë temperaturën e lartë. Ky proces shkakton djersitjen. Avullimi i djersës freskon lëkurën, e cila ul temperaturën e të gjithë trupit. Ndërkaq, djersitja intensive mund të rezultojë me dehidratim.

Ne e dimë mirë se gjatë ditëve me vapë djersitemi më shumë, sidomos në rastet kur bëjmë aktivitete të ndryshme fizike në ndikimin e drejtpërdrejt të temperaturave të larta. Konsumimi i rregullt i ujit ndihmon në kthimin e lëngjeve që i humbasim me djersitjen intensive. Nëse nuk do të konsumoni sasitë e duhura të ujit, ju mund të dehidroni, ndërsa kombinimi i temperaturave të larta dhe dehidratimit, jo vetëm që ndikon në lëkurën dhe pamjen tuaj, por mund të rezultojë me çrregullime të rënda shëndetësore. 

Simptomat e dehidratimit

Në rastet e dehidratimit ne fillimisht ndjejmë etjen, na thahet goja, ndjejmë lodhje dhe marramendje. Gjithashtu, edhe letargjia është një shenjë dehidratimi. Simptomat e tjera kanë të bëjnë me uljen e sasisë së urinës, prodhimin e urinës me ngjyrë të verdhë intensive, përshpejtimin e punën së zemrës, shqetësimet dhe problemet me sytë.

Qoftë edhe dehidratimi më i vogël mund të shkaktojë probleme. Analizat përkatëse kanë vërtetuar se edhe dehidratimi që nuk ka simptoma klinike ul aftësinë kognitive dhe koordinimin fizik. 

Këshilla për hidratimin e organizmit gjatë ditëve me vapë

 - Filloni menjëherë me hidratimin! Është shumë më lehtë të mirëmbahet balanca e lëngjeve në organizëm nëse do të jeni në gjendje të mirë hidratimi; 

- Mos pini sasi të mëdha uji menjëherë sepse një gjë e tillë mund të shkaktojë hiponatremi (uljen e nivelit të kripërave në gjak). Pini më shpesh sasi më të vogla uji; 

- Bëni një orar për pauza të rregullta, gjatë të cilave do të konsumoni lëngje dhe gjithmonë mbani pranë jush një shishe me ujë, të cilën do ta përdorni për të pirë ujë më shpesh kur punoni ose ushtroni; 

- Mos harroni të pini ujë edhe pas mbarimit të punës ose ushtrimeve;

- Hani fruta, siç janë boronicat, shalqiri, pjeshkat dhe kajsitë;

 Si do të dini nëse keni konsumuar sasi të mjaftueshme uji?

Njëra nga mënyrat e kontrollimit të nivelit të hidratimit të trupit është sipas ngjyrës së urinës suaj. Nëse ju keni hidratim të mirë, urina do të jetë e bardhë, e pastër dhe do të urinoni më shpesh. Gjithashtu edhe lëkura juaj do të jetë e butë dhe elastike, ndërsa pamja juaj do të jetë plotë freski dhe e bukur.